GJUMI I STINËS

Më zuri gjumi
me televizor hapur.
Shkova të shëtis
në baladat verore.
Dy zëra këmbëkryq
mbi gurët e pragut,
ushtonin:“Oh, sa të dua
moj faqore kumbullore!”

Pas dum-dumit
të amplifikuar elektronik,
klithi asfalti i kruar
nga lopatat fshesare.
Jehuan zagarët
në kor operistik.
Kukurisën gjelat
mes pulave zuzare.  

Nata iku ngadalë
me tela të këputur.
Mëngjesi daulleçarë
ngjitej te shkalla.
U ngjesha veshëve
dy boçe pambuku.
U ngjita syve dy gjysma
patate të gjalla.

Atëherë rrotat u ranë
borive zëçjerrë.
Motorët hungëruan
me vajza pas shpinës.
Gruaja na solli kafet 
me pak sheqer.
Ngushëlluam vdekjen
e gjumit të stinës.

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145