ULLIRI I LASHTË I PERJETËSISË

Shtëpia ku linda

para shumë vitesh të shkuar,

ka kohë nga faqja e dheut

krejtësisht është zhdukur.

Sikur apokalipsi qytetin

të kishte rrafshuar,

shenjat e saj të tëra

nuk do të kishin humbur.

 

Aty vegjëlinë ma ka mbuluar

nënvete bitumi i sheshtë,

shenjat e kujtimeve m’i ka thithur

një kërpudhë gjigante.

Ka mbetur çuditërisht

një ulli degështrirë i shenjtë,

që nuk e rrëzoi dot

tehu i mprehtë i asnjë sëpate.

 

Ullirin e mbolli babai,

me rrënjët e rrudhave  të pleqërisë

dhe e vaditi çdo mëngjes

me lotët e varfërisë nëna,

të çelte kokrra bonbonesh,

për mysafirët e shtëpisë,

dhe të ndizte mangallin e dimrit

me gjethet e rëna.

 

Por ndonëse e mbolli babai

dhe me durim nëna e rriti,

ligji i rreptë e quante çdo ulli

monopol të shtetit.

Bonbonet vinte i vilte

thesi i diktaturës vit pas viti,

për ne mbeteshin vetëm

gjethet e rëna përqark sheshit.

 

Nuk dihet sa dhjetëra vite

të tjerë do vegjetojë ai ulli,

me vegjëlinë time

të mpiksur në lëngjet e vajit,

me bonbonet e nënës

të shpërndara tani në komshi,

me rrudhat e tejzgjatura

në përjetësinë e babait!... 

 


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145