TRADHTIA NË MENDJE

 
Gruan e kam në çdo çast brenda trurit, 
vjen përqark si nikoqire e mendjes sime.
Aty ankohet për ndonjë gjakndezje burri,            
qesh e më trazon gatimet në mendime.
 
Fshin pluhurat cerebrale të papërfillura, 
nëse dallon mendësi të pabarabarta.
Kur harroj ia mbaj dyert të mbyllura, 
troket aq fort, sa më shkundet kafka.
 
Dyshon mos ndoshta ndonjë femër tjetër,
ka hyrë brenda trurit nga dritaret e syve.
Ndonëse e di, që më ka besnik të vjetër,
bëhet merak, se dëgjon bëmat e fqinjëve.
 
Tek punoja në bibliotekën e trurit të vogël,
më gjeti në mendje, një topolake të njomë,
që kish hyrë lakuriq, nga televizori i dhomës
dhe me kërcime seksi, tundte belin e hollë.
 
Shtypi pultin ma nxori nga truri pa vonesë
dhe për tendencë maniake më bëri vërejtje.
Tha: Si gjithë burrat edhe ti ke tru të pabesë,
me kuçkat e botës më tradhton në mendje...
 
Desha ta bind për atë xhelozi krejt pa vend,  
derisa me kish brenda gardhit gjithë netëve.
Por ma ktheu: Leri ato, për tradhtinë me mend,
ka folur Krishti, qysh para dymijë vjetëve!...
 

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145