PASQYRAT PA GOJË

Nevoja e reflektimit

me anë të pasqyrës,

u ndie qëkur pellgu i ujit

i tregoi njeriut të lashtë,

se në dimensionin e trupit

dhe në formën e fytyrës,

kishte ndryshime,

nga të egrit përqark.

 

Indigjenët e Guinesë

dhe indianët e Amerikës,

zbuti pasqyra europiane,

ku së pari fytyrën panë,

dhe qeshën me veten,

pa njohur dhimbjet e frikës

që sillte pushka me barut

e njeriut të bardhë.

 

Më vonë Pitagora i Samosit

me pasqyra konkave,

bëri diellin gjigant

të mblidhet sa një grusht,

drejtoi rrezet përvëluese

me fuqi të madhe

dhe shkrumboi anijet

më gjithë ushtarët pushtus.

 

Pasqyrat me refleksin

e amalgamit në çdo format,

më pas u bënë sendi vetjak

më i domosdoshëm,  

për të mbajtur nën kontroll

çrregullimet në shtat,

dhe paraqitjen e fytyrës

tek çdo sy i zakonshëm.

 

Para pasqyrave dalin

të makiazhojnë dukjen,

vajzat që përgatiten

të joshin djemtë e dashur,

nuset që gjatë natës

çngjyrosen nga puthjet,  

plakat që luftojnë zhubrat

e moshës së zbardhur.

 

Çiftet lakuriq që presin

nga pasqyra eksitimin,

duke parë veten lakuriq

në kafshërinë e shtratit.

Kriminelët që rreken

të fshehin gjurmët e krimit,

duke kërkuar pika gjaku

në çdo pore të surratit.

 

Pasqyrat tregojnë

krejt bukuritë e njerëzimit

dhe gjithë shëmtirat

që krijon natyra në nxitime.

Por sikur të kishin gojë,

para monstrave të krimit,

s’do kish mbetur pasqyrë

pa u bërë copë e thërrime.

 


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145