KAM SHUMË FRIKË

Syrin ma rrëmben tezga e gazetës,
ku kronika e zezë thërret të lexohet.
Largohem nga viktima e pistoletës,
kam frikë shpirti mos më trishtohet.

Burrat rrihen, shajnë gratë nga nderi,
kur makinat në rrugë paksa fërkohen.
Nxitoj hapat për t’i bërë bisht sherrit,
kam frikë shpirti mos më trishtohet.

Policia mbulon gjakun me batanije
kufoma e aksidentit mos vështrohet.
Kthej kokën anash dhe vrapoj si hije,
kam frikë shpirti mos më trishtohet.

Çifti i ri te parku bën seks jo puthje,
pa druajtje se nga fëmijët shikohet.
Lëshoj stolin dhe shkoj diku tutje,
kam frikë shpirti mos më ngacmohet.

Deputeti shan rëndë kundërshtarin,
në të gjitha rasat ku emri lakohet.
Ndërroj shpejt kanalin e ekranit,
kam frikë shpirti mos më trishtohet.

Shoh vriten, priten për flamuj partie,
duke njollosur kryeflamurin e shtetit...
Them, shkalloi kjo politikë armiqësie,
dhe kam shumë frikë nga realiteti...

 

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145