PYETJA E PAHARRUAR E NËNËS

 

 

O zot, si nuk e harroj dot atë pyetje të nënës,
kur shtypja në tastierë shkronjat me radhë!...
Ajo ulur pranë meje, ndiqte trokitjet e gërmës,
ku rreshtoheshin fjalët në letrën e bardhë!  

Ç’i ke gjithë ato fjalë që shkruan, more bir?
-Fjalë për botën dhe veten time, moj nënë!...
Ajo psherëtiu me kryet mbështetur te supi im
dhe troku i gërmave sytë në dremitje ia kish vënë.
 
Kur mbarova me makinën, nëna u zgjua befas,
fërkoi sytë, që i qenë mbyllur krejt pa kuptuar
dhe sikur po kërkonte ndjesë, më pyeti lehtas:
-Mbarove, o bir, fjalët, që kishe për të shkruar?

-Kam lënë vetëm një fjalë, moj e shtrenjta ime!
-Ç’është ajo fjalë që s’e shkrove, nxitoi të pyesë?
-Fjalën e parë, që të belbëzova ty, kur më linde,
ta shkruaj edhe të fundit, përpara se të vdes...

Ajo më puthi e më fërkoi gjoksin sipër zemrës:
-Ti s’ke për të vdekur, derisa të jem unë gjallë!...
O, zot si nuk e harroj dot atë pyetje të nënës,
por sa herë shkruaj, ma kujton i përvëluari mall!

 

 


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145