KUR LIND ARTI

Kur kokave të artit
u ndodh shtatzënia,
frymëzimi ngjiz në tru
gjakun e zemrës.
Talenti fekondon
mitrën e ideve të tija,
me gjininë artistike
dhe thelbin e temës.

Pasi fetusi rritet,
truri shpërthen ujërat.
Krijuesi shtërzon
nga barra në mendime,
kërkon qetësi
e fuqi të përqendruara,
siç lind nëna fëmijën
me mjaft mundime.

Arti del në jetë
pa asistencë mamie.
Klithmat e para i lëshon
autori i ngazëllyer me vete.
Kërthizën e titullit
ia lidh vetë në krye
dhe vet e mbështjell
në pelena letre.

E ushqen me lëvdata
nga sisët që ka.
Po kur sheh se mbetet
ende i uritur,
kërkon mëndesha
nëna gjoksmëdha,
me qumësht komentesh
me tej për ta rritur.

Natyrisht, gjithë fëmijët
nuk bëhen të bukur,
po kur lind shëmtaraq,
mos ia shani nënë mjerës,
se i vritet zemra
për pjelljen e lumtur,
derisa ta shohë
krahasuar me të tjerët...

 


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145