PUTHJA DHE GRUSHTI

Puthjet janë pa fund

për vajzat dhe gratë.  

Puthjet më të ëmbla,

për më të ëmblat e shpirtit.

Puthje për krijimin

më të bukur e delikat,  

që ka konstruktuar

Arkitekti i njerëzimit.

 

Por, kënaqësitë që sjellin

këto krijesa të shtrenjta

dhe gëzimet kulmore

mbi çdo ndjesi tjetër,

ndodh i shpërblejmë

me grushte e shkelma,

nga dhuna e trashëguar

prej njerëzve të egër.

 

Dorën e mashkullit

s’e bëri akulli apo guri,

po zemra e nënës

e stisi më të fortë,

që fuqinë muskulore

të krahut të burrit,

ta ketë mbrojtje të sigurt,

dhe mbështetje të plotë.

 

Kjo dorë e punëve

të mëdha e të mira,

nuk lind të rrëzojë

vetë nënën përtokë;

Por t’i sjellë asaj,

në acarin me dimra,

pranverën ledhatare

dhe verën e ngrohtë...

 

Këto krijesa drite

me trupin si qelq,

ndodh të rrëshqasin,

në pjerrësi instinkti.

Grushti i thyen krejt,

por fajin nuk e ndreq,

vetëm puthja ua drejton

zemrën dhe shpirtin...

 


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145