QIMJA E VERDHË...


Burri hoqi këmishën
për larje, pas darkës,
gruaja shqeu sytë
dhe ndali frymën.
Aty qimja e verdhë,
ngjitur rreth jakës,
mbi ndjenjat e saj
shkrepi vetëtimën.

Te rrufeja e qimes,
që sytë i verbonte,
ajo pa në përfytyrim
pamjen e filmuar:
buzët e të shoqit
puthnin bionden,
te qafa e tij, kokën
e saj duke fërkuar...

Vetëtima i shkallmoi
mendjen e kresë,
dhe i vërviti burrit
gjëmimin e bubullimës:
-Ja, ku e ke faktin,
o tradhtar i pabesë,    
që ke lëpirë kuçkën
sekretare të zyrës!...

Burri u kap mat
nga qimja e gjatë     
dhe padashur kyçi
gojën e kundërshtisë.  
Njësoj sikur e zuri
me sekretaren në shtrat,
ngriti duart lart
para fajit të tradhtisë...  

Më pas rrufeja u palos
në një shami të errët,
si mugëtira që bie
pas bubullimës.
Burri u end sherreve,
në dyert e skëterrës,
Gruaja kuroi pasojat
nervore të viktimës...

 


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145